Shpendi është bllokuar në baltë dhe nuk ka mundur të dalë. Shpejt ka filluar intervenimi në të cilin kanë marrë pjesë edhe zjarrfikësit. Në baltë është ngujuar edhe një shpëtimtar...
Pëllumbi “baksuz” është ngujuar në baltën e portit të qytetit gjerman Husumer. Atë e kanë shpëtuar madje 14 kalimtarë, zjarrfikës dhe policë.
“Nëpër port po shëtitshin disa kalimtarë. Në baltë e kanë vërejtur pëllumbin. Ai po tentonte të nxirrej, mirëpo ishte i pafuqishëm. Prandaj kalimtarët kanë thirrur shpëtimtarët”, ka treguar një dëshmitar.
Shumë shpejt kanë arritur dy policë. E kanë vërejtur se nuk mund të depërtonin deri tek pëllumbi, prandaj kanë thirrur kolegët e tyre përgjegjës për mbrojtjen e ujërave. Njëri prej tyre, 42-vjeçari Holger Cohrs guximshëm ka hyrë në baltë. Ka rënë në gropë dhe nuk ka mundur të vazhdojë tutje. Në ndihmë të shpëtimtarit dhe pëllumbit më pas u kanë ardhur edhe zjarrfikësit.
“Nga ura me anë të vinçit e kemi lëshuar kabinën. Polici ka hipur në të, derisa në dorë po mbante pëllumbin. Pantallonat i ishin zhveshur pasi që i ishin ngujuar në baltë. Në fund kemi arritur që atë dhe zogun t’i ngjisim në urë”, ka thënë shefi i zjarrfikësve Peter Post për gazetën e njohur gjermane “Bild”.
Pëllumbin më vonë e kanë pastruar dhe e kanë lënë të lirë. Taksapaguesve gjermanë shpëtimi i këtij pëllumbi u ka kushtuar 1.500 euro.